Transmetuar më 22-05-2020, 19:50

Artistë, aktivistë, juristë dhe qytetarë të Tiranës u mblodhën sërish pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, për të kërkuar hetime për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Brenda këtij sistemi të kapur politikisht ka akoma njerëz që nuk dorëzohen qoftë edhe duke i bërë presion për arrestimin e artistëve dhe aktivistëve,” u shpreh juristja Adriana Kalaja paraditen e së enjtes.

Aktivistët nënvizuan se prokuroria  mund të pezullojë kryetarin e bashkisë Tiranë nga detyra, bazuar në kallëzimet e bëra nga Aleanca që prej dhjetorit 2019. Ata pretenduan se prokuroria nuk duhet ta lërë Veliajn të firmosë më. Sipas tyre,  prokurorët duhet të veprojnë shpejt sepse situata është emergjente.

Protesta përpara Prokurorisë së Posaçme është e treta e mbajtur nga Aleanca që nga shembja e Teatrit Kombëtar të dielën.

“I nxisim të reagojnë me urgjencë sepse ishte një tentativë për vrasjen e artistëve dhe intelektualëve. Kur tentuan ta shembin ne ishim brenda, kemi dhe pamje filmike për këtë”, u shpreh regjisori Robert Budina, duke theksuar se artistët nuk kanë qenë kurrë të armatosur.

“Prokurorët kanë detyrën t’i bëjnë me dije popullit që ato që u zgjodhën janë njerëzit e duhur, të fillojnë proceset e hetimeve, në mënyrë që mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë”, shtoi Budina.

Gjatë protestës u theksua se nëse do të kishte funksionuar sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk do të kishte pasur përplasje dhe godina e Teatrit Kombëtar do të ishte shpëtuar.

“Nëse ju fshihni kriminelët do të ketë një përgjigje mbarëpopullore, pa kompromise”, përfundoi Budina.

Juristja  Adriana Kalaja së bashku me aktorin Edmond Budina dorëzuan një kërkesë pranë prokurorisë në të cilën kërkohej që prokurorët të ndërmerrnin disa veprime hetimore.

“Sot kemi ardhur këtu t’i kërkojmë SPAK-ut të zbatoje ligjin, pasi  ka dyshime të arsyeshme që z.Veliaj në bashkëpunim me nënkryetarin ka kryer jo vetëm vepër kriminale por i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh”, tha Kalaja.

Në kërkesën e dorëzuar pranë SPAK, aktivistët dhe artistët i kërkuan prokurorisë marrjen e masës sekuestro preventive për truallin e Teatrit Kombëtar  si edhe pezullim e gjithë punimeve në vazhdim deri në zbardhjen e çështjes, marrjen e masave të arrestit me burg ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe nënkryetarit të bashkisë Mazniku.

Regjizori Budina përfundoi duke thënë se ndaj artistëve dhe aktivistëve është ushtruar presion psikologjik, por ai nuk zbardhi detaje  të mëtejshme duke thënë se së shpejti do të merret vesh e vërteta.