Transmetuar më 25-05-2020, 09:04
Foto ilustruese

Babë e bir janë vënë në shënjestrën e policisë së Shijakut për kultivim kanabisi, ku njëri është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

Efektivët e policisë Shijak, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestuan B. M., 58 vjeç.

Ndërkohë u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e djalit të tij P. M., 29 vjeç, banues në Shijak, Durrës.

Efektivët e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Sallmone, Shijak, në një zonë të pyllëzuar, gjetën fidanë të dyshuar kanabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se babë e bir janë autorë të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Ndaj tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. /a.y/noa.al