Transmetuar më 26-05-2020, 11:53
Enver Bajri

Operacioni Forca e Ligjit kërkon që të provojnë pasurinë dy “të fortë” të Shkodrës, me një sërë precedentësh penalë.

OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Enver Bajrit dhe Emrah Plakut, të cilët duhet të provojnë ligjshmërinë e saj.

Enver Bajri, banues në Shkodër, është person person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, Gjykata e Bolonjës (Itali) e ka dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni, e kryer në bashkëpunim”.

Emrah Plaku, banues në Shkodër, është nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.y/noa.al

Ndalohet në Spanjë Enver Bajri, pak javë më parë i shpëtoi arrestimit

Gjykata e Posaçme çon dosjen "Bajri" në Prokurorinë e Shkodrës