Transmetuar më 26-05-2020, 12:09

Kanë dalë sot para Gjykatës së Beratit dy punonjësit e bashkisë, të arrestuar pas vdekjes së një fëmije 4 vjeç, si pasojë e kontaktit në lulishte.

Dy të dyshuarit lanë qelitë nga sot, për shkak se gjykata vendosi si masë sigurie “Detyrim paraqitje”.

Nga hetimet e kryera lidhur ngjarjen e ndodhur në lulishten në pedonalen e qytetit Berat më 22 maj, në bashkëpunim me Prokurorinë, pak ditë më parë u bë ndalimi i Poli Ikonomit, 32 vjeç, me detyrë drejtor i shërbimeve në Bashkinë e Beratit dhe Llazar Hoxhollit, 61 vjeç me detyrë përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane, të dy banues në Berat.

Arrestimi i tyre u bë pasi, i mituri i komunitetit rom me iniciale A. Brahimasi, 4 vjeç, duke luajtur në lulishten në pedonalen e qytetit të Beratit, ka gjetur vdekjen si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike.

Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. T., H. I., E. B. dhe M. K., të katërt me detyrë elektriçist pranë Bashkisë Berat, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. /a.y/noa.al