Transmetuar më 28-05-2020, 00:12

Duke nisur nga 1 qershori, hapen kufijtë dhe hiqet tërësisht karantina në vendin tonë.

Kushdo që hyn e del në Shqipëri nuk do të jetë më i detyruar të vetëkarantinohet për 14 ditë, përfshirë turistët.

Po ashtu më 1 qershor rihapen çerdhet dhe kopshtet, publike dhe private.

Më 1 qershor nuk ka më kufizime të lëvizjes së këmbësorëve dhe mjeteve në të gjithë Shqipërinë.

Por çfarë mbetet ende mbyllur dhe pa afat?

Qeveria ka vendosur të lërë të ndaluara pa afat të gjitha llojet e tubimeve. Ndalohen aktivitetet kulturore dhe sportive me spektatorë.

Ndalohet zhvilllimi i dasmave dhe funeraleve pasi nuk lejohet grumbullim në mjedis të hapur e të mbyllur i më shumë se 5 vetëve.

Sakaq, transporti publik, do të rrijë mbyllur edhe për pak ditë. Sipas Ramës në qershor pritet të dilet me një vendim për të.

Ndërkohë shkolla në të gjithë ciklet e tyre nga ai fillor në pasuniversitar, mbeten të mbyllura, përjashtuar maturantët dhe diplomantët e shkollave të larta.

Lokalet në brendësi sërish nuk do të lejohen pa afat, edhe pse në disa prej tyre në Tiranë dhe rrethe janë paeë këto ditë të mbushen me klientë.

Klubet e natës, pub-et, diskotekat e hapura ose të mbyllura, gjithashtu nuk lejohen të funksionojnë. Edhe klubet e striptizmit janë të ndaluara, ndërkohë që në rrjete sociale ato po njoftojnë rihapjen më 1 qershor në mbrëmje.

Palestrat, spa-të, pishinat e mbyllura, çdo lloj aktiviteti arsimor jashtëshkollor në grup, sërish janë të ndaluara.

Sakaq është ende në fuqi, lejimi i jo më shumë se 5 personave bashkë në mjedise publike.

Ndërkohë, çdo gjë e hapur derimë sot, i nënshtrohet zyrtarisht, parimit, në funksion vetëm duke aplikuar distancimin fizik dhe higjienën.

Mbetet të shohim se çfarë do të ndryshojë në ditët në vijim. /noa.al/