Transmetuar më 28-05-2020, 09:36

Ekspertë të ndryshëm kanë hedhur idenë e një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si ajo e 2014, diktuar nga situata e vështirë ekonomike që solli pandemia Covid-19 por edhe tërmeti i vitit të kaluar. Por kryetarja e komisionit të ekonomisë, Milva Ekonomi, në një intervistë për RTSH-në vlerëson se situata aktuale mund të kalohet edhe pa këtë marrëveshje.

Ekonomi shton se rikthimi i FMN-së mbetet mundësi e hapur për të ardhmen, nëse rritja ekonomike nuk përshpejtohet.

Në pranverë të 2014, socialistët rikthyen FMN në Shqipëri me një marrëveshje huaje trevjeçare prej afro 330 milionë eurosh. Në atë kohë, qeveria e sapoardhur në pushtet tha se marrëveshja e mbështetjes buxhetore nga Fondi Monetar ishte e nevojshme për më shumë siguri për ekonominë shqiptare, sepse përmes huasë së marrë do të shlyeshin të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj biznesit dhe individëve.

Marrëveshja përfundoi në shkurt të 2017 dhe aktualisht qeveria vijon bashkëpunimin me FMN përmes artikullit të 4 të programit, i cili parashikon monitorim dhe këshillim, jo marrëveshje kushtëzuese.

Edhe në përfundim të saj, por edhe së fundmi, FMN duket e gatshme të nënshkruajë një program të njëjtë më atë të 2014 me Shqipërinë.