Transmetuar më 28-05-2020, 09:14

Dyert e kopshteve dhe çerdheve do të hapen për fëmijët sërish këtë të hënë 1 qershor, por me disa kufizime në veprime dhe qëndrime për të respektuar kështu distancat fizike mes tyre në kuadër të masave anti COVID-19.

Sipas rregullores ambientet e këtyre institucioneve duhet të shfrytëzohen maksimalisht dhe brenda një dhomë fëmijët duhet të qëndrojnë në grupe të vogla dhe nuk duhet të përzien me grupet e fëmijëve të tjerë në dhoma të tjera.

Duke e ditur numrin e lartë të fëmijëve që kanë kopshtet publike në një grup ku në ndonjë rast kalon edhe 50, specialistja e ISHP Eugena Tomini thotë se rregullat e reja janë të vështira për tu respektuar, por stafi duhet të tregojë durim.

Distancimi fizik që si veprim duket gati i pamundur të mbahet në vëmendje nga një fëmijë kopshti dhe çerdheje duket se do të sjellë shumë sforcime për stafin i cili vetë i pari duhet ta reflektojë këtë.

Por në mes të gjithë kësaj gjendje të re, lajmi që ngroh të gjithë është ai që kjo pandemi i ka kursyer fëmijët dhe studimet e fundit për transmetim të virusit nga kjo grupmoshë janë shpresëdhënëse.

Epidemiologia Tomini thotë se përballë rrezikut të shëndetit mendor të fëmijëve të cilët gjatë kësaj periudhe kanë humbur shumë nga sjelljet e shëndetshme, duhet që frekuentimi i kopshteve dhe çerdheve të vazhdojë.