Transmetuar më 29-05-2020, 10:59

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu, kryeinspektoren e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici dhe zyrtarë të tjerë, zhvilluan një inspektim mjedisor në lumin Drin.

Lleshaj tha se konstaton me keqardhje që vijat ujore, lumenjtë e vendit tonë pak a shumë janë zgjatime të banjove të qyteteve, banjove të familjeve shqiptare dhe banjo të industrive shqiptare gjë që sipas tij, është krejtësisht e palejueshme dhe krejtësisht e papranueshme.

“Do të angazhohemi fort në kuadër të një programi dhe një përpjekje serioze të policisë dhe të IKMT-së, për të ndryshuar rrënjësisht situatën në këtë drejtim. Nuk na nderon dhe ne nuk mund të pretendojmë të zhvillojmë turizëm, të zhvillojmë ekonominë nëse lumenjtë i shndërrojmë në kanale ujërash të zeza. Kemi filluar në Tiranë me lumin Erzen, kemi nisur nga burimi deri në derdhjen e tij për të ndërprerë çdo derdhje ujëash të zeza në lumë. Po kështu synojmë që edhe në Lezhë të mendojmë për diçka të tillë. Sigurisht këtu ka ndotës të mëdhenj, ka shumë ndotës, ndotës industrialë, ndotës urbanë, ndotës individualë, por qëllimi është që t’i ndërpresim të gjithë derdhjet dhe lumenjtë të kryejnë atë funksion për të cilin i ka bërë Zoti, të sjellin ujë të pastër në krah të qyteteve tona. Gjithçka që hedhim në këtë lumë e marrim prapë mbrapsht, ose kur shkojmë në plazh, ose kur hamë perimet”, u shpreh Lleshaj.

Ministri deklaroi se çdo ndotës i madh do të paguajë shumë, ashtu sikur edhe ndotësit e vegjël do të paguajnë pjesët e tyre.

Po ashtu paralajmëroi se gjobat janë ekstremisht të larta dhe se nuk do të ndalohet asnjë çast dora ndaj kujtdo që guxon me vetëdije, apo pa vetëdije të bëjë dëme të parikuperueshme në mjedisin tonë.

“Pra, sot IKMT-ja dhe policia janë praktikisht një strukturë, dhe në të gjitha rastet, çdo rast të cenimit të mjedisit goditja është në dy plane. Së pari, është goditja administrative përmes gjobave të forta, jo simbolike por të forta dhe e dyta është goditja penale, sepse këto të gjitha janë edhe krime penale të parashikuara nga Kodi Penal. Në çdo rast IKMT-ja jep gjobë të fortë dhe fillon masat administrative, ndërkohë që Policia fillon automatikisht hetimin penal ndaj gjithkujt që bën këto dëme dhe këto krime ndaj mjedisit, ndaj shtëpisë tonë të përbashkët”, deklaroi ministri i Brendshëm. /a.y/noa.al