Transmetuar më 29-05-2020, 22:32

Një djalë i mitur, doli nga shtëpia dhe befas përballet me një tufë policësh, të cilët iu sulën pa një, pa dy, duke mos e kursyer dhunën e shëmtuar ndaj tij. Pamjet në videon që doli në publik, tregojnë këta policë që vënë dorë mbi atë bir nëne, pa menduar shumë, me dritëshkurtësi dhe papërgjegjshmëri.

Por ky ishte vetëm fillimi. Pak orë pas daljes si videos, shefi i tyre, Ardi Veliu, u paraqit virtualisht në Parlament. Komisioni për Sigurinë Kombëtare i cili zhvilloi seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lidhur me situatën e kriminalitetit në vend për vitin 2019 dhe masat e marra përgjatë situatës së pandemisë COVID-19.

Pikërisht te masat, nisi mburrja absurde e Veliut. Ai mbrojti dhunën idiote të policëve të tij, duke dhënë dy pseudoarsye. E para, se djali kishte thyer orarin e shtetrrethimit. Familja e tij dhe djaloshi vetë, pohuan se ishte brenda orarit të lejuar të lëvizjes. Por dhe nëse jo kështu, a nuk dolën thuajse gjithë populli këto javët e fundit, pa ato autorizimet që më pas u hoqën? Dhe, a justifikohet ajo dhunë për një gjë të tillë?

E dyta që Veliu trumbetoi fort dhe që, në sy të publikut, i vuri kapakun karrierës së tij, ishte sa e rëndë, aq dhe papërgjegjshmëri amatore. Veliu përdori një video Facebook-u duke iu turrur prindërve të adoleshentit që medemek sipas tij, janë të paedukatë.

Ja se ç’tha Veliu: “Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, deklaroi Veliu para deputetëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori përsipër të denigrojë publikisht, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit (Kodi Penal, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve), nënën që ka dalë publikisht në mbrojtje të fëmijës së saj.

Z. Veliu, në komisionin Parlamentar, duke kërkuar të justifikojë dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit ka publikuar një video të nënës së tij gjatë xhirimeve të një filmi, duke gjykuar se kjo është mënyra me të cilën fëmija edukohet dhe duke dashur të quajë të drejtë edhe dhunën e ushtruar nga punonjësit e policisë.

Por çfarë ishte kjo video që e shihni dhe më poshtë? Më 2018, nëna e të miturit kishte postuar në Facebook një fragment skenash të një filmi ku luante.

Veliu dhe shpura e tij, i ishin qepur rrjeteve sociale për të gjetur imoralët në familjen e djalit dhe triumfator e paraqiti në Kuvend dhe live para gjithë shqiptarëve. Është e qartë se edhe nëse do të ishte ashtu siç pretendoi Veliu, dhuna policore ndaj fëmijës nuk ka asnjë lidhje me postimet e të ëmës dhe jetën e saj. Dhe Veliu  kurrsesi nuk mund ta gjente fajtorin tek e ëma e fëmijës. Është fare e thjeshtë, kryepolici nuk ka kompetencë ligjore edhe si mësues i edukatës në familje.

Nga ana tjetër, kush e lejon këtë kryepolic që të dalë para njerëzve e të publikojë video private dhe personale të një gruaje, qytetare e këtij vendi  e paakuzuar për asgjë?

Në këtë mënyrë, Veliu ra në grackën që për tjetërkënd kishte thurur. E gjitha kjo që ndodhi, ia heq të drejtën morale që të vazhdojë ta mbajë atë post. Edhe nëse me kokëfortësi do të vazhdojë, është çështje kohe që të bjerë sërish në batak. Kështu ka ndodhur dhe me plot kryepolicë të tjerë para tij…