Transmetuar më 01-06-2020, 16:28

Shqipëria hapi të gjithë kufijtë tokësorë ditën e sotme, të mbyllur prej rreth dy muajsh.

Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Kosovën, teksa dhjetëra kamionë janë ndaluar në kufi dhe nuk lejohen të kalojnë.

Kamionët ndodhen në pikën e kalimit në Morinë, ku pala kosovare mësohet se ka vendosur taksë 22 euro për automjetet, si edhe karantinim për personat që kalojnë kufirin.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo taksë duhet të paguhet për desinfektimin e kamionëve.

Shtetasve të Shqipërisë u është kërkuar një certifikatë nëse e kanë kryer testin për koronavirusin. Ose në të kundërt duhet t’u nënshtrohen karantinimit njëjavor në Kosovë.

Për këtë situatë ka reaguar edhe Kryministri Rama.

"Na hap kufijtë o Ramazon se gjithë bota i ka hap!"e kur thosha jo s’i ka hap gjithë bota, ne do jemi nga të parët fare, gënjeja unë! Po tani që ne i hapëm e shikoni që të tjerët jo? E pra, unë kam njëmijë të meta, po NUK GËNJEJ dhe mirë a keq THEM ATË QË BËJ DHE BËJ ATË QË THEM.

Dhe mos keqkuptohemi, s’e kam me bllokimin e çuditshëm të makinave të Shqipërisë në kufirin e Kosovës për dizinfektim, po për plot kufij fqinj ose jo, që janë ende mbyllur! Prandaj DURIM, BESIM dhe KUJDES NGA NXITIMI NË NGRËNIEN E RRENAVE se helmojnë gjakun e çorodisin mendjen”, ka shkruar Rama në Tuiter.