Transmetuar më 03-06-2020, 14:57

Ministri i Rindërtimit dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj njoftoi se nis sot zbatimi i programit të granteve të rikonstruksionit, me bashkinë Shijak.

Ai tha se nis pagesa direkte për familjet banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime që nuk e çojnë në domosdoshmëri shembjen e banesës apo pallatit, punime për të cilat qytetarët mund ti bëjnë vet e qeveria i subvencionon sipas aktit normativ.

“174 familje në banesa individuale dhe 27 banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre. Procesi vijon në bashkitë e tjera dhe në ditët në vijim do të miratohen fondet për përfituesit e rinj. Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit. Po sot miratuam në qeveri shpalljen e zonës për rikualifikim dhe Rindërtim pas pasojave të tërmetit në Parkun Arkeologjik të Durrësit dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me qeverinë turke, që do ti hapë rrugë fillimit të punimeve në kantierin e Rindërtimit në Laç”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri deklaroi se Qeveria ka alokuar fondin mbi 512 milionë lekë, për bashkinë Shijak e cila duke nisur nga e premtja në mëngjes do të firmosë pagesa direkte për banesat e pallatet.

Një tjetër vendim, ka të bëjë me përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projektit për miratimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë kostot për shërbime të rilevimeve topografike, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të shërbimeve gjeologjike që i takojnë nëntokës e punimeve në themel, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë. /a.y/noa.al