Transmetuar më 03-06-2020, 18:34

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për herë të parë për ngjarjen e rëndë të përdhunimit të nxënëses 15-vjeçare nga roja i shkollës.

Reagimi i ministres vjen pas kërkesës së PD-së për shkarkimin e saj.

“Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë”, shkruan ajo në Facebook.

Sipas ministres “për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa”:

pezullim apo shkarkim nga puna MENJËHERË, e të gjithë stafit e të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve); hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor; ofrim i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas-shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit.

Ministrja nënvizon edhe nismën e marrë pë dyfishimin e psikologëve në shkolla.

“Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal.

Por, po e përsëris, nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë”.

Një apel ka edhe për media, por duke harruar përgjegjësitë e institucioneve shtetërore.

“Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”. /k.k/noa.al/