Transmetuar më 06-06-2020, 08:08

Simulimet e prodhuara nga Banka Botërore vlerësojnë se varfëria në Shqipëri mund të rritet me 4‒8 pikë përqindje, prej tërmetit të vitit 2019 dhe krizës që shkaktoi pandemia COVID-19. Rritja e varfërisë pritet të jetë karakteristikë e zonave urbane për shkak të papunësisë së lartë, tha Maryam Salim, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Ajo këshilloi autoritetet që procesi i rimëkëmbjes duhet të marrë në konsideratë ndihmën ndaj të varfërve, për t’i integruar ata në tregjet formale të punës me paga më të larta. Skemat e mbrojtjes sociale duhet të forcohen më tej për të mbështetur në mënyrë efektive familjet në nevojë, tha ajo.

Banka Botërore parashikoi se ekonomia shqiptare do të tkurret me 5% gjatë vitit 2020, një nga më të mprehta në rajon. Pse një pesimizëm i tillë?

Së bashku me pjesën tjetër të botës, Shqipëria u detyrua këtë pranverë të merrte masa të pashembullta në mbrojtje të shëndetit publik për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19. Dhe nuk mund të harrojmë se kjo ndodhi menjëherë pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019. Ngrirja e një pjese të madhe të ekonomisë e ka futur Shqipërinë në një recesion të rëndë. Një sërë faktorësh e bëjnë Shqipërinë veçanërisht të prekshme nga kjo krizë:

– Së pari, turizmi është një sektor veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, i cili pritet të ketë një kontraktim të fortë për shkak të COVID-19.

– Së dyti, Shqipëria ka lidhje të ngushta me ekonominë italiane, e cila është goditur veçanërisht nga kjo krizë.

– Së treti, kjo është një tronditje globale që ndikon negativisht dërgesat nga diaspora, të cilat janë një burim i rëndësishëm financimi për Shqipërinë.

– Së katërti, punëmarrësit informalë janë veçanërisht të rrezikuar gjatë kësaj krize. Punët e tyre janë më pak të sigurta dhe qasja e tyre në skemat e sigurimeve shoqërore është më e kufizuar. Fatkeqësisht, informaliteti është veçanërisht i përhapur në Shqipëri.

Sidoqoftë, ka një pasiguri jashtëzakonisht të lartë në lidhje me parashikimet ekonomike në këtë periudhë. Ashpërsia

e rënies ekonomike do të varet nga ecuria e pandemisë në muajt e ardhshëm, nga shpejtësia me të cilën mund të lehtësohen kufizimet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe nga shkalla në të cilën mund të normalizohet jeta ekonomike. Banka Botërore do të jetë një partner i fortë dhe do të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të kësaj rruge.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të zbutur rreziqet e Covid-19 në ekonominë e saj?

Në frenimin e valës së parë të infeksionit, Shqipëria me të drejtë u përqendrua në zbatimin e masave bllokuese, ndërsa siguroi likuiditet për bizneset dhe familjet për të siguruar jetesën. Ndërsa Shqipëria tani po del nga bllokimi, është e rëndësishme që të shkohet gradualisht drejt një modeli të masave të mbrojtjes së shëndetit publik që të vazhdojë të parandalojë rishfaqjen e rasteve të COVID-19, por lejon që jeta ekonomike edhe nën kërkesa të vazhdueshme të distancës fizike, të rifillojë.

Rindërtimi i objekteve të shkatërruara nga tërmeti duhet të vazhdojë dhe mund të shërbejë si stimul për të mbështetur rimëkëmbjen. Masat që do të mundësojnë turizmin këtë verë mund të sigurojnë që sezoni i këtij viti të mos quhet krejt i humbur për Shqipërinë. Instrumentet e financimit, të tilla si skemat e garancisë së kredisë, mund të zhbllokojnë kredinë dhe t’i mundësojnë bizneseve të rimarrin veten gjatë muajve të ardhshëm.

Ndërsa nis rimëkëmbja, Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat strukturore që mund të çojnë në një ecuri më të mirë të rritjes afatmesme. Këto përfshijnë forcimin e sundimit të ligjit, sigurimin e qëndrueshmërisë makro-fiskale, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e shërbimeve publike për të rritur kapitalin njerëzor.

Si e vlerësoni paketën mbështetëse të qeverisë shqiptare në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Duke pasur parasysh bllokimin ekonomik, masat mbështetëse ekonomike për të ruajtur vendet e punës dhe për të ofruar mbështetje për ata në nevojë, kanë qenë thelbësore. Shqipëria e njohu këtë situatë në fillim të krizës dhe miratoi me shpejtësi paketën e parë dhe të dytë mbështetëse. Këto masa nëse projektohen dhe zbatohen në mënyrë efektive duhet të ndihmojnë në zbutjen e disa humbjeve të sektorit privat, përmirësimin e likuiditetit të biznesit dhe mbështetjen e familjeve të prekura.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh zgjatjen e pasigurt të kësaj krize, politikëbërësit kudo përballen me të njëjtën dilemë: përdorimi i të gjithë hapësirës fiskale në dispozicion për të zbutur ndikimin e menjëhershëm mund të shkaktojë probleme nëse kriza zgjat. Reagimet e politikës duhet të kalibrohen për të zbutur efektet e menjëhershme, të përshtaten me realitetet e reja që mund të shfaqen, por gjithashtu të lënë hapësirë për të përgatitur ekonominë për një rimëkëmbje.

Si e parashikoni rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, (sa kohë duhet për rimëkëmbjen, çfarë pasojash do të ketë punësim dhe në varfëri)

Më lejoni së pari të theksoj se, parashikimet ekonomike shoqërohen me një pasiguri veçanërisht të lartë në këtë periudhë. Kjo do të varet shumë nga kursi i pandemisë, nga shpejtësia me të cilën mund të lehtësohen kufizimet dhe nga shkalla në të cilën mund të normalizohet jeta ekonomike.

Në skenarin tonë fillestar, ne presim që rimëkëmbja të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe të shtrihet në 2021. Kufizimet e vazhdueshme për mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe kërkesat për distancimin fizik të vazhdueshëm, do të thotë që shumë biznese mund të ndëpresin punën, ndaj duhen gjetur mënyra të reja për të vepruar.

Pasiguria ekonomike mund të shtrihet më tej, duke ndikuar negativisht investimet e huaja. Shumë punonjës kanë humbur punën e tyre dhe do të duhet të gjejnë punë të re. Kjo do të thotë që, ndërsa heqja e kufizimeve më të rënda do të sigurojë një nxitje të menjëhershme për ekonominë, rikuperimi i plotë do të marrë më shumë kohë.

Inkurajimi i zhvillimeve në tregun e punës me krijimin e përshpejtuar të vendeve të reja punës dhe rritjen e pagave tregoi se Shqipëria po bënte përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë që nga viti 2014.

Por tërmeti 2019 dhe pandemia COVID-19 devijuan seriozisht këtë proces.

Simulimet e prodhuara nga Banka Botërore vlerësojnë se varfëria në Shqipëri mund të rritet me 4‒8 pikë përqindje, në nivele ta papara që nga recesioni global. Rritja e varfërisë do të jetë karakteristikë e punonjësve urbane në sektorin e shërbimeve që do të humbasin një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të tyre për shkak të papunësisë ose kërkesës së ulët.

Çfarë duhet të bëjmë për ta kthyer këtë krizë në mundësi, pasi të përfundojë?

Kjo krizë është para së gjithash është një tragjedi e madhe, pasi ka prekur jetën e shumë njerëzve. Por më të vërtetë ofron edhe disa mundësi.

– Së pari, duke dalë nga kjo krizë, duhet të vendosim theks të ri për kompletimin e masave mbrojtëse ndaj goditjeve të ardhshme. Financat e forta publike në kohë të mira janë ato që i lejojnë qeveritë të vendosin mbështetje ekonomike në kohë të këqija. Një sistem i fortë financiar është i nevojshëm për t’i siguruar sektorit privat likuiditet. Një ekonomi më e larmishme mund të ndihmojë në uljen e ndikimit të goditjeve që prekin disa sektorë më shumë se të tjerët.

– Së dyti, kjo krizë është një mundësi për të përmirësuar disa aspekte. Për shembull, distanca fizike do të thotë që shumë më shumë familje dhe biznese janë kthyer në tregjet online gjatë muajve të fundit. Ky ishte një hap i madh për ekonominë dixhitale dhe kjo duhet të nxitet më tej gjatë rikuperimit.

– Së treti, kjo krizë është një mundësi për theks të ri në solidaritetin shoqëror. Edhe një herë, kjo krizë ka dëmtuar veçanërisht më të prekurit, të cilët shpesh punojnë në punë joformale që kërkojnë ndërveprim mes individëve. Kur ata humbasin punën e tyre, ata kanë kursime të kufizuara.

Kjo kategori shpesh ka vështirësi për të hyrë në skemat e sigurimeve shoqërore. Procesi i rimëkëmbjes duhet të marrë në konsideratë vendimtare ndihmën ndaj të varfërve, për t’i integruar ata në tregjet formale të punës me paga më të larta. Skemat e mbrojtjes sociale duhet të forcohen më tej për të mbështetur në mënyrë efektive familjet në këto kohë që ato kanë më shumë nevojë./Monitor