Transmetuar më 12-06-2020, 14:15

Janë të mirë, të edukuar, me etikë të duruar, por politika u ka vendosur gjurin në kokë, po u marrin frymën burokratët, të paaftët, ata që nuk duan një rini të shkolluar…

Nga Artan Fuga

Unë mbështes fort protestën e maturantëve të Shqipërisë!

Ata kanë një mijë herë të drejtë!

Trajtohen me privilegje politike grupe dhe shtresa të caktuara, niveli i dijeve që u jepet është skandaloz, tezat e ndërtuara në mënyrë qesharake, shpërndarje e tyre në degët universitare e gjitha e dalë boje dhe e korruptuar, e ardhmja e tyre kulturore e vendosur në hone rrëpirash!

Arsimimi që u jepet po u shkatërron jetën për dekadat e ardhshme! Ata kanë të drejtë!

Ligja për arsimimin dhe standardet e shkollimit të kalbura!

Janë të mirë, të edukuar, me etikë të duruar, por politika u ka vendosur gjurin në kokë, po u marrin frymën burokratët, të paaftët, ata që nuk duan një rini të shkolluar!

Gjendja e studentëve dhe e cilësisë të diplomave është po aq e tmerrshme! Shoqëria po i merr frymën rinisë shkollore dhe universitare!

Po prish shpresën e kombit, po e dhunon, e ka lënë pa të drejta, në mëshirën e fatit, në papunësi profesionale, u jep mundësi o shitësa, o roje, o policë, o numërues votash në komisione votimi!

Diplomat pa vlerë në treg!

Shkolla nuk është skena e striptizës politike dhe e deklaratave boshe dhe të dëmshme!

Maturantët dëshmojnë se u bëhen privilegje politike anëtarëve të forumeve politike, se jepen kopje, se ka trajtime të privilegjuara, se ka presione mbi mësuesit politikisht!

Hapini gojën maturantëve dhe do të shohim se çfarë na dëgjojnë veshët!

Rinia shqiptare ka të drejtë të revoltohet!