Tradita e nuseve me mblesëri vazhdon në vendin tonë, madje ajo nuk është ndalur as në kohë pandemie.
Këtë e tregon më së miri Sabriu nga Librazhdi.
Ai ka 10 vjet që ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e një ndërmjetësi martesash dhe e quan profesion për sa kohë që asnjë nga martesat e lidhura nga ai nuk kanë dështuar.
Në qytete të mëdha me të tilla martesa bëhet edhe pak humor, ndërkohë në zonat rurale dhe qytetet e vogla kjo është mëse normale.
Ndonëse pandemia ndërpreu gjithçka, nevojën e të pasurit një nuse apo një burrë në krah nuk e ndali punën e Sabriut.
Ai pret që rikthimi i emigrantëve për pushime do t’i shtojë aktivitetin edhe më tepër se në vitet e tjera.
Një ndër traditat në Shqipëri ka qenë që shkuesit i bëje dhuratë një palë këpucë të kuqe, ndërsa në 2020 thjesht kjo bëhet me para.
Edhe pse në periudhë pandemie, dikur jepeshin rreth 10 mijë lekë, tani puna e tij shpërblehet mbi 20 mijë lekë (të rinj).
“200 mijë deri 500 mijë kam marrë nga një mblesëri. Kërkojmë djalin ose gocën. E shoh djalin se ku rri, në çfarë gjendje është dhe i bëj ofertën më pas gocës”, tregon Sabriu.
Sabriu thotë se kohët e fundit po përballet me krizë pasi numri i vajzave është më i ulët se i meshkujve.
“Më shumë duan nuse nga Pogradeci dhe Korça, janë zonat më të preferuara”, shprehet Sabriu, lidhur me punën e tij.
Ai ndodhej në një takim me miqtë, të cilët tregojnë se e mbështesin këtë aktivitet.
“Është diçka e mirë, pasi bëhen bashkime familjare. Sabriu krijon mundësinë e lidhjeve”, shprehet një nga miqtë.
Sabriu tregon dhe një shkak se përse emigrantët besojnë tek ai. Sipas tij ata nuk ecin shumë me trendin e kohës nuk duan nuse përmes rrjeteve sociale, por i besojnë më shume zakoneve të vjetra.
/NOA.al