Transmetuar më 25-06-2020, 16:45

Dialogu Kosovë-Serbi do të shtyhet sërish pas vendimit të Kryeministrit Avdullah Hoti për të anuluar takimin në SHBA.

Përballë kësaj situate, Bashkimi Europian kërkon që bisedimet të nisin jo më vonë se muaji korrik i këtij viti.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se është e nevojshme të vazhdohet dialogu mes dy vendeve.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka qëndruar të enjten në Bruksel për bisedime me zyrtarët evropianë.

"Gjatë takimit tonë, theksova nevojën urgjente për përparim në dialogun Beograd-Prishtinë. Emërimi i fundit i ambasadorit, Mirosllav Lajçak si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ilustron fokusin e BE-së në këtë dialog, vazhdimi i të cilit është paraparë të ndodhë në muajin korrik në Bruksel", tha Michel në një deklaratë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot në Bruksel se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se Kosova, sipas tij, ka një maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballet. /k.k/noa.al/