Transmetuar më 25-06-2020, 16:58

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte sot në vendlindjen e tij, Skrapar, ku tha se vlerësoi me Dekoratën e lartë "Nderi i Kombit", një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare.

Ky është edhe vlerësimi më i madh që merr çdo artist i vendit tonë dhe të tilla vlerësime janë të rralla.

Bëhet fjalë për, një "përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon", nënvizoi Presidenti Meta.

Edhe Dule Malindi, – u shpreh Meta, – "është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

Demir Zykë dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dekorimit nga Presidenti Meta dhanë edhe një koncert në shesh, ku ishin të pranishëm me qindra vetë, që fatkeqësisht ashtu si në të gjitha tubimet politike, nga të gjithë aktorët kryesorë, edhe në këtë rast, ndonëse ishte aktivitet me karakter kulturor, nuk janë respektuar apo nuk janë marrë parasysh këshillat dhe masat e distancimit social.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

"Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë!"

"Malet, sepse gjithmonë kanë qenë fortesat e lirisë dhe të qëndresës, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u trashëgua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar.

Ndaj ishte kënaqësi e veçantë të vlerësoja sot në Skrapar me Dekoratën e lartë "Nderi i Kombit", një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare, përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon.

"Xha Demiri", së bashku me bashkëpunëtorët e tij Medin Kushe, Shahit Gjinari, Neshat Ebibasi, Agim Cakrani, e shumë të tjerë u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por si rrallëkush i këndoi lirisë dhe maleve tona.

Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi, i cili ka mbajtur gjallë këngët e Skraparit dhe ato kombëtare.

I lindur në fshatin Malind të poetit tonë të madh, Xhevahir Spahiu, edhe Dule Malindi është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

/NOA.al