Transmetuar më 25-06-2020, 23:55

Ambasada e Francës dhe ajo e Gjermanisë në Prishtinë kanë reaguar njëkohësisht duke treguar se presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbeten të gatshëm për organizimin e një Samiti në Paris për dialogun Kosovë-Serbi.

Në njoftimin e Ambasadës Franceze thuhet se, Parisi dhe Berlini zyrtar presin që në këtë mënyrë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të rinisë sa më shpejt.

“Franca dhe Gjermania presin që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të rinisë së shpejti. Bashkërisht, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron mbeten të gatshëm për të organizuar një Samit në Paris”, thuhet në postimin e ambasadës franceze në Twitter.

Ndërkohë, po në Twitter ka reaguar edhe ambasadori gjerman, Christian Heldt.

Ai ka thënë se janë të gatshëm për organizimin e takimit Kosovë-Serbi në muajin korrik dhe ka treguar se mbështesin Miroslav Lajcakun fuqishëm si ndërmjetës të BE.

Këto reagime të dy ambasadave vijnë pas anulimit të takimit të Uashingtonit, pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj presidentit, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.