Transmetuar më 26-06-2020, 20:29

Me ndërmjetësimin e ambasadorit, Richard Grenell pritej këtë fundjavë një takim historik në Shtëpinë e Bardhë mes  Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, por aktakuza e ngritur pak ditë më parë ndaj Presidentit të Kosovës, bëri që të anulohej ky takim.

Pavarëisht anulimit të takimit, ministri në detyrë për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, nga i Dërguari Special i Presidentit Trump për Negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

Vizita e Cakajt në Uashington ishte parashikuar për takimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ky takim pritej të mbahej më 27 qershor.

Mbi takimin që pati sot me Grenell, Cakaj tha se diskutoi mbi një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, – u shpreh Cakaj, lidhur me takimin e sotëm me zyrtarin e lartë amerikan në Uashigton.

/NOA.al