Transmetuar më 28-06-2020, 00:35

Nga Bujar Nishani

Bashkimi Evropian ka vendosur të mos e lejojë hyrjen e qytetarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut edhe pas datës 1 korrik 2020 në BE.

Arsyetimi i këtij vendimi, për shkak të raportimeve që bën qeveria ndaj COVID-19. Por qartazi ky është një mesazh ndaj qytetarëve shqiptarë që në fakt janë ata që vuajnë pasojat.

Jo shumë kohë më parë kam denoncuar dhe paralajmëruar rrezikun serioz që i kanoset qytetarëve tanë për të humbur të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në Evropë.

Një e drejtë e fituar pas një izolimi shtazarak prej rregjimit komunist dhe pas një pune e përpjekjesh të jashtëzakonëshme për të arritur kriteret dhe standartet e kërkuara.

Vende të mëdha të Bashkimit Evropian, në mënyrë të përsëritur kane paralajmëruar rikthimin e rregjimit të vizave për Shqipërinë.

Krimi i organizuar, korrupsioni skandaloz, shkatërrimi i institucioneve të shtetit, vjedhja e zgjedhjeve, kthimi në një sistem politik pa pluralizmin dhe orientimi shpesh drejt interesave politike lindore, të gjitha këto prej qeverisjes së ri-lindsve po kërcënojnë të ri-kthejnë izolimin e shqiptarëve.

Natyrisht COVID-19 nuk ka të bëjë me këto shqetësime në rritje.

Por rasti i reagimit evropian ndaj Shqipërisë për mos hapjen e kufijve të saj edhe pas 1 korrikut është një përgjigje e qartë ndaj lojës së “pisët” të krye-rilindsit me këtë fatkeqësi natyrore në kurriz të shqiptarëve.

Fshehja e situatës së vërtetë, refuzimi për testime masive, komedia tragjike qeveritare me shkaqet e humbjes së jetës të shumë shqiptarëve, këto në pikun dhe fazën më agresive të virusit, na u kthye papritur në situatë me përhapje më masive, me numër më të lartë të infektuarish, me raste vdekje më të shpeshta, tani kur në të gjithë Evropën parametrat e COVID janë të gjithë në nivele minimale, kur arsyetimi shkencor e profesional mjekësor konfirmon dobësimin e virusit.

Loja “e pisët” politike e rilindsit, i tmerruar nga reagimet masive qytetare kundër hajnisë, korrupsionit, varfërisë, tradhëtisë e tejkalon dhe kodin e njerëzisë në raste fatkeqësie.

Evropa ja ktheu reagimin me atë që meriton rilindsi mashtrues!

Me të drejtë seicili prej nesh në këtë rast do të reagonte duke konsideruar se pasojat e këtij vendimi i vuajnë qytetarët e thjeshtë dhe jo mashtruesi!

Qytetarët e humbasin mundësinë të shkojnë e të vijnë tek të afërmit e tyre, nevojtarët e kanë të pamundur të shkojnë për kurime mjekësore, studentët humbasin shancin e shkollimit, bisneset pamundësojnë tregëtinë e kështu me rradhë…

Në emocion të parë, po! Ajo ashtu duket!

Por në logjikën e ftohtë mesazhi është vërtet për shqiptarët.

Esenca e këtij mesazhi vjen për kthjellimin e mëndjes dhe gjallërin e nervit të shqiptarëve.

Largoni mashtruesin! Shpëtoni nga keqbërësi!

Shqiptarët dhe vetëm shqiptarët mundet të ndreqin punët e tyre dhe të largojnë “dreqin nga djepi” që duhet të tundin!