Transmetuar më 28-06-2020, 17:08

Drejtuesit i njohur i emisionit Zonë e Lirë, Arian Çani, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, pas deklaratës së tij të fundit, se i tërë territori i Ballkanit ka qenë dikur helen.

Në fakt, Shqipëria e ka pasur historikisht të vështirë të jetë bindëse përballë faktorit ndërkombëtar lidhur me të kaluarën e saj autoktone, kjo për shkak të mungesës së arsimimit dhe të dëshmive historike të historianëve të saj.

Por fakt tjetër është se, pavarësisht genocideve dhe spastrimeve etnike nga fqinjët, nuk ka asnjë dëshmi që të provojë  sot se ka ndonjë territor të pushtuar nga shqiptarët, të paktën aty ka ata banojnë sot.

Mirëpo, në vend që Shqipëria të ketë një herë e mirë historianët e saj me fakte sa më bindëse, Arian Çani  ndoshta "i emocionuar" nga prania në studio e një analisti, filozofi, pedagogu, politologu, apo gjithologu, siç e promovon ai çdo të premte, i cili është i arsimuar në Athinë dhe është promovuar para së të ulej në studion e tij nga Kryepeshkopi Janullatos, apo i "eksituar" nga prania e Vangles Dules dhe Bollanos në emisionet e fundit, mori papritur rolin e "historianit me famë ndërkombëtare".

Deklarata e tij, se i gjithë territori i Ballkanit u ka takuar në një kohë grekëve, ka bërë jehonë në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Madje ka irrituar edhe artistë, siç është Rovena Stefa, e cila bëri sot thirrje publike që të bojkotohet nga shikuesit emisioni i Çanit.

Për shkak të deklaratës së tij, Stefa e quajti Çanin “antishqiptar”.

“Bojkoti ndaj emisionit të tij televiziv është minimalja për këtë antishqiptar, pasi po të kishte shtet ky njëri do ishte thirrur në Prokurori tani dhe të jepte llogari mbi këto deklarata që cenojnë identitetin, integritetin tonë kombëtar, pasi është person publik dhe nuk mund të bëj deklarata të tilla, pasi shqiptarët kanë vuajtur shumë nga lufta e shovinistëve grekë”, shkroi Rovena Stefa në Facebook, lidhur me pretendimin e Arian Çanit, i cili tejkaloi çdo parashikim, pasi edhe vetë grekët kanë pretendime territoriale deri në Himarë./NOA.al