Transmetuar më 30-06-2020, 17:29

Përfaqësuesit më të lartë të politikës, kanë shprehur ngushëllimet për mjekun Arjan Pushi, që humbi sot betejën me COVID-19.

Arjan Pushi humbi jetën në moshën 57-vjeçare, duke u bërë i pari mjek në vendin tonë i prekur nga Covid-19, që  nuk i mbijetoi dot virusit vdekjeprurës.

Presidenti Meta, kryeparlamentari Ruçi, kryeopozitari Basha, si dhe ministrja e Shëndetësisë, Manasterliu, shprehën ngushëllime për humbjen e madhe të mjekut, i konsideruar model i spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi.

Ilir Meta, President i Republikës:

Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor.

Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë.

Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucicioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne. Ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme!

Lulzim Basha, kreu i PD-së:

Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij.

Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e covid19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij.

Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. Dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve.

Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë:

Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.

Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza.

Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm.

U prehsh në paqe Profesor Pushi!

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve. Ju jemi pranë në këto momente të vështira!

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi:

Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Profesorit të Universitetit të Mjekësisë, mjekut të shquar Arjan Pushi.  Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karierrën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19.

Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi.

Kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij  është  i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve.

/NOA.al