Transmetuar më 01-07-2020, 16:51

Pandemia Covid -19 ka krijuar një panoramë të zymtë edhe në ekonomitë e vendeve të zhvilluara, e normalisht i ka goditur më rëndë vendet me ekonomi të brishta si Shqipëria.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se kriza në vendin tonë  si pasojë e pandemisë është thelluar me tej në 3-mujorin e dytë të vitit.

Reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Megjithatë, sektori bankar i vendit mbetet i shëndetshëm dhe tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta.

Këshilli Mbikëqyrës i BSH vlerëson se hapja progresive e ekonomisë, lehtësimi i masave të distancimit social si dhe ambienti i qëndrueshëm monetar e financiar i vendit, krijojnë premisa për rikuperimin gradual të aktivitetit ekonomik, në dy tremujorët në vazhdim. Megjithatë, balanca e rreziqeve vijon të mbetet ende prezente.

Gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se miksi aktual i politikave fiskale, monetare dhe financiare, ofron stimulin e nevojshëm për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

"Pandemia Covid-19 ka ushtruar goditje të gjithanshme mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj kanë filluar të pasqyrohen tashmë dhe në informacionin e disponueshëm statistikor, – tha Sejko.

Duke iu referuar të dhënave të Instat, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënie në eksporte dhe investime.

Po ashtu, të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17.000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%.

Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë këtij tremujori,  importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa të ardhurat buxhetore u tkurrën me rreth 30% në dy muajt e parë të tremujorit, duke pasqyruar rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt prill dhe maj. Norma mesatare e tij kërceu në nivelin 2%, si pasojë e goditjeve të përkohshme të ofertës në këtë periudhë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ardhshme e ekonomisë do të varet nga kohëzgjatja e pasojave të pandemisë dhe reagimi i agjentëve të brendshëm e të huaj ekonomikë ndaj tyre.

Skenari bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar është duke ushtruar funksionin e tij të amortizuesit të goditjeve në ekonomi dhe ka vijuar të kreditojë sektorin privat të ekonomisë, e në veçanti atë të bizneseve. Këshilli Mbikëqyrës vëren sektori bankar nuk mund dhe nuk duhet të përballojë i vetëm barrën financiare të goditjes.