Transmetuar më 02-07-2020, 11:22

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Dermokratike, Gazment Bardhi i kërkon kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që Parlamenti ta miratojë Kodin e ri Zgjedhor në seancën e radhës.

Ai thotë se miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave.

Sipas tij, çdo ditë që vonohet përfshirja e këtyre ndryshimeve për miratim në seancë plenare është një ditë e humbur në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Po ashtu shton se zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për zbatimin e identifikimit biometrik.

“Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës. Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga Dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi europian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, deklaron Gazment Bardhi. /a.y/noa.al