Transmetuar më 02-07-2020, 14:58

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet akuzave të opozitës dhe kreut të saj Lulzim Basha, lidhur me projektin e segmentit rrugor Milot-Fier.

“Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të atyre që duan të qeverisin Shqipërinë e sulmojnë me fjalët më të ulëta projektin Milot-Fier ende pa nisur mirë gara ndërkombëtare! Këta që fjalën vjedhje e kanë në majë të gjuhës për çdo punë, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin. Turp”, shkruan Rama.

Ky reagim i tij vjen pasi nga Divjaka, Lulzim Basha tha se, ndërsa biznesi po shkon drejt falimentimit dhe qindra vende pune mbyllen çdo ditë, Edi Rama planifikon që 1.2 miliardë euro t’i japë për koncesionin e një rruge fantazëm, Milot-Fier.

“Kjo rrugë në pjesën më të madhe është ndërtuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, por Ramavirusit i duhet si alibi për t’i dhuruar miliona euro oligarkëve, në turravrapin e fundit korruptiv të një qeverie në ikje”, u shpreh Basha.

Ai paralajmëroi se kur PD të vijë në pushtet, nuk do të njohë asnjë koncesion apo vendim korruptiv të marrë 12 muaj para zgjedhjeve. /a.y/noa.al

Basha në Divjakë: Numri i pushuesve thuajse zero, PD s’do të njohë asnjë koncesion korruptiv