Transmetuar më 04-07-2020, 00:45

Një mjek nga Puka mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Infektiv në Tiranë.

Mjeku ndodhet prej disa ditësh në trajtim intensive ndërsa gjendja e tij shëndetësore është rënduar së tepërmi ditët e fundit.

Mjeku mësohet se është infektuar nga një infermiere.

Në rajonin e Shkodrës vazhdon të shënohet numër i lartë i të infektuarve me COVID-19. Nga 28 mostrat e marra një ditë më parë nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetsor, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Në të gjithë qarkun e Shkodrës numri i rasteve aktive është 158. Ndërkohë në 24 orët e fundit një pacient ka humbur betejën me COVID-19. Bëhet fjalë për një 57 vjeçar nga Shkodra i cili ka patur edhe disa sëmundje të tjera shoqëruese.

Po ashtu dhe në Malësinë e Madhe është shënuar viktima e parë me COVID-19. Bëhet fjalë për një 79-vjeçare e cila ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve të rënda të shkaktuara nga koronavirusi ndërsa nuk ka patur sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Ndërkohë pritet të dalin rezultatet e 5 tamponëve të marrë tek personat e dyshuar.

Prej një muaji ka patur një rritje të konsiderueshme të qytetarëve të prekur me koronavirus në Shqipëri.

Ndaj qytetarët duhet të tregohen më të kujdeshëm dhe të zbatojnë masat anti COVID-19, në mënyrë që të minimizohet përhapja e mëtejshmë e virusit. Është e nevojshme që qytetarët të mbajnë distancën fizike 1.5 metër dhe të shmangin grumbullimet në mënyrë që të shmangin infektimet nga personat që mund të jenë të prekur me COVID-19.