Transmetuar më 04-07-2020, 11:30

Ministria e Shëndetësisë raportoi sot në përditësimin e të dhënave të Covid në vendin tonë, se nga 67 raste të reja, 6 prej tyre ishin në Kavajë dhe 4 në Elbasan.

në Kavajë kanë rezultuar pozitive gjashtë raste të reja në 24 orët e fundit.

Dyshohet se ata janë punonjës në administratën e bashkisë së qytetit.

Mësohet se pesë prej tyre, pasi rezultuan pozitivë me Covid, janë vetëkarantinuar në shtëpi.

Ndërsa njëri prej tyre ka pasur shenja më të rënda që kërkonin trajtim të specializuar dhe është shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë.

Ndërsa në Elbasan sot janë regjistruar katër raste të reja.

Njëri prej tyre është një i burgosur që kishte përfituar leje për disa ditë.

Ai ka rezultuar pozitiv dhe nuk dihet se ku është infektuar.

Tri dite para se të rikthehej në burg pasi i perfundonte leja, ai ka shfaqur simptoma të virusit.

Mësohet se ai ka pasur kontakte sepse ka takuar të afërm e miq që i kanë shkuar për vizitë me rastin e daljes për pak ditë nga burgu. Frika është se ai mund të ketë infektuar edhe të tjerë, duke bërë që edhe Elbasani të jetë një vatër e re e pandemisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një 67 vjecare dhe një 73-vjeçare, nga Tirana, që ishin prekur nga Covid 19, pavarësisht përpjekjes së mjekëve kanë humbur jetën. Ato vuanin edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid 19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz.

/NOA.al