Transmetuar më 04-07-2020, 20:59

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia thotë që nga shifrat që publikohen çdo ditë lidhur me koronavirusin, “është e dukshme se situata ka dalë jashtë kontrollit dhe tashmë është Covid-19, ai që “drejton” e jo autoritetet që e menaxhojnë atë”.

“Pasi izoloi rreptësisht shqiptarët (ajo kohë duhej mirëpërdorur), Edi Rama dështoi të merrte masa për menaxhimin e situatës nga pandemia! Fakt është se sot spitalet janë vatrat kryesore të infeksionit dhe përgjegjësit e rritjes së numrave, si në personelin shëndetësor ashtu edhe tek qytetarët! Testimet me pikatore në kohën e izolimit dhe ato të papërfillshme në raport me situatën këtë periudhë, dëshmojnë se nuk ka një strategji konkrete për t’u përballur me këtë situatë!

Në kohën kur duhej të merrte masa, që në periudhën e izolimit, Edi Rama e kishte mendjen të prodhonte gënjeshtra, se vendi kishte numër të ulët të prekurish, kur thjesht kryente shumë pak testime, pavarësisht thirrjeve të OBSH e opozitës “Testoni, testoni, testoni”!!! E kishte mendjen të vidhte buxhetin e shtetit, përmes tenderëve sekretë me çmime të fryra (për të cilat SPAK ende nuk po ndihet), e të bënte lypësin me partnerët ndërkombëtarë!

Tani ka pacipësinë të fajësojë qytetarët për daljen e situatës jashtë kontrollit, kur në fakt i vetmi përgjegjës është vetëm Edi Rama!!!.

Është anormale që njeriu që ndillte panik e kërcënonte me gjoba e burg, tani fshihet kur nuk ka ditë pa viktima për shkak të Covid-19? Cili kryeministër i përgjegjshëm injoron një situatë të tillë, por shfaqet sikur ka prioritet çështje gjeopolitike? Vetëm fajtorët e papërgjegjshëm e të pa mjekuar mendërisht fshihen pas zonjave, që nxjerrin për të lexuar shifra në rritje, viktima e të prekur, apo foto të laboranteve të ISHP-së”, shkruan Spahia në Facebook.