Transmetuar më 08-07-2020, 18:44

Shqiptarët nuk e fituan të drejtën më 1 korrik që të lëvizin në vendet e zonës Shengen, ndryshe nga ata të Serbisë dhe të Malit të Zi, kjo për shkak të shifrave në rritje të Covid-19.

Serbia raportoi gjatë qershorit shifra të ulëta. Pak ditë pasi qytetarët e saj u përfshinë në listën e vendeve që mund të lëvizin në BE, vendi ballkanas po përballet ditët e fundit me shifra alarmante të prekurish e të vdekurish nga Covid-19, si dhe me protesta të dhunshme.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, akuzoi ashpër presidentin serb Aleksandër Vuçiç për manipulim të shifrave të koronavirusit.

Von Cramon reagon ashpër protestat e ditëve të fundit Serbi, ku u shënuan përplasje mes qytetarëve dhe policisë.

Ajo thotë se Vuçiç ka gënjyer për rastet me koronavirus me qëllim të përfitonte para zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan javë më parë, apo edhe për lëvizjen e lirë. “Duket se Vuçiç gënjeu rreth numrave të COVID-19 për të pasur ‘zgjedhje’ të qeta. Ai nuk mund të fshihet pas shtimit të rasteve të reja dhe njerëzit e dinë se për të, pushteti ishte më i rëndësishëm se shëndeti”, theksoi eurodeputetja.

Von Cramon mbi protestat në Beograd kundër masave të reja kufizuese dënoi dhunën e policisë.

/NOA.al