Transmetuar më 09-07-2020, 16:07

Vllaznia do të ketë një sponsor të fuqishëm për pjesën e mbetur të sezonit, ku ka për qëllim mbijetesën, dhe po ashtu ka ka gjetur një garanci financiare edhe për sezonin në vijim.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, nënshkroi sot kontratën me presidentin e ”ALBAPHOTO” dhe Distributor i autorizuar i "FUJIFILM”, Alban Xhaferi.

Marrëveshja përfshin sponsorizimin, partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Klubit dhe Bashkisë Shkodër nga njëra anë, dhe kompanive në fjalë. Xhaferi është edhe kreu i Shoqatës së Basketbollit "Vllaznia".

Kjo marrëveshje ka objekt të saj: 

Bashkëpunimi për konsolidimin e rezultateve të ekipit të parë dhe ekipeve të moshave të Akademisë “Vllaznia”, rikthimin e qëndrueshëm të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a në pozicion dinjitoz në renditjen e kampionantit kombëtar të futbollit të Superligës shqiptare dhe mundësinë për pjesëmarrje në aktivitete dhe kompeticione ndërkombëtare.

Partneritetin, midis paleve për të dhënë mbështetje teknike dhe financiare Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a., në bashkëpunim dhe harmonizim me angazhimet dhe kontributet teknike dhe financiare të vetë Bashkisë Shkodër si aksioneri i vetëm, por edhe të strukturave drejtuese, të personelit, lojtarëve dhe çdo aktori tjetër institucional, publik, privat dhe që ka interes.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi nis menjëherë, në mbështetje të ekipit të parë “Vllaznia” dhe ekipeve të moshave të Akademisë “Vllaznia” për arritjen e rezultateve sa me te larta.

/NOA.al