Transmetuar më 16-07-2020, 08:51

Partizani merr një goditje të fortë, në mbyllje të këtij sezoni. Të kuqtë nuk do të kenë mundësi të futen në merkato, të paktën për këtë sezon.

Shkak për këtë është bërë gjyqi i fituar në FIFA nga klubi kroat Istra 1961 në lidhje me transferimin e sulmuesit Eraldo Çinari, gjatë verës së 2018-ës.

Partizani e kishte blerë kartonin e lojtarit nga Vllaznia, e cila bllokoi fillimisht kalimin e Çinarit te spanjollët e Alavesh, që më pas e huazoi lojtarin në Kroaci tek Istra.

Klubi i Istra e çoi në çështjen në FIFA.

Partizani është gjobitur me 80 mijë euro, kurse Çinari është pezulluar për katër muaj.

E gjithë kjo situatë mund t’i kushtojë shtrenjtë Partizanit, duke kushtëzuar gjithë sezonin 2020-2021. “Demat” mund të shesin lojtarë, por nuk mund të afrojnë të tjerë për të arritur objektivat.

Gjithnjë nëse vendimi mbetet në fuqi, pasi mësohet se klubi i kuq është vënë menjëherë në lëvizje për ta zgjidhur problemin.

Aktualisht Partizani është jashtë zonës së Europës, si dhe ka mbetur pa trajner me largimin e Adolfo Sormanit.  Mësohet se të kuqtë janë në bisedime me dy trajnerë, vendas, emra të njohur, njëri prej të cilëve pritet të marrë drejtimin e ekipit javën e ardhshme.

/NOA.al