Transmetuar më 16-07-2020, 20:46

Dy vajza binjake, të cilat lindën të bashkuara, i janë nënshtruar një operacioni dhe kanë arritur të ndahen me sukses.

Truc Nhi dhe Dieu Nhi, 13 muajshe nga Vietnami, iu nënshtruan një operacioni 12 orësh për të arritur ndarjen dhe në të morën pjesë mbi 100 mjekë, shkruan TCH. Edhe pse foshnjet dolën me sukses nga operimi, puna e mjekëve ende nuk ka mbaruar, ato do të kujdesen për vajzat në tre muajt e ardhshëm, do t’i ndihmojnë të mbyllin plagët dhe të rikuperojnë traktin urinar.

Në lidhje me këtë sukses, ka reaguar dhe drejtori i spitalit Truong Quang Dinh, i cili e ka quajtur të gjithë këtë një mrekulli.

“Ne u përqendruam dhe bëmë gjithçka kishim në dorë. Fatmirësisht rezultati ishte i shkëlqyer. Për ne rasti i vajzave është një mrekulli”, tha mjeku.