Transmetuar më 20-07-2020, 15:47

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Bashkimi Europian që të mbajë premtimin për Kosovën, dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e saj.

Thirrja vjen nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, duke i bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian që të liberalizojë vizat, në kushtet kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Janë bërë më shumë se dy vite që kur Komisioni Evropian ka konfirmuar që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Këshilli i Evropës duhet ta mbajë premtimin, dhe të heqë vizat për Kosovës menjëherë”, thuhet në postim.

Ky nuk është rasti i parë që SHBA adreson nevojën për të liberalizuar vizat me Kosovën.

Më herët edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, kërkoi të njëjtën gjë nga Bashkimi Europian. /k.k/noa.al/