Transmetuar më 21-07-2020, 22:31

Shqipëria që sipas qeverisë sonë ishte dhe mbetet shumë herë më mirë se Italia, në të vërtetë ka shumëfish më shumë njerëz të infektuar çdo ditë, sesa vendi përtej Adriatikut.

Shifrat ditore që publikojnë autoritetet e dy vendeve, e demonstrojnë qartësisht këtë dhe noa.al ju sjell më poshtë një analizë të thjeshtë të shifrave zyrtare.

Në Itali 24 orët e fundit iu bënë tamponë 43.110 qytetarëve në të gjithë vendin. Prej tyre vetëm 129 dolën pozitivë me COVID-19.

Në Shqipëri 24 orët e fundit u bënë 482 tamponë. Rreth një e katërta e tyre pra 25 për qind, ose 119 vetë ishin me koronavirus. Dhe thuajse çdo ditë, midis 20 deri 25 për qind e tamponëve dalin pozitivë.

Shifrat e mësipërme janë shqetësuese. Italia bën plot 100 herë më shumë tamponë se Shqipëria në ditë dhe ka shifra të ngjashme me ne që bëjmë 100 herë më pak testime.

Në total, Italia u ka bërë tamponë deri sot 6.305.412 njerëzve. Prej tyre, janë evidentuar pozitivë, 244.752 nga të cilët janë 12.248 ende pozitivë. Pra vetëm rreth 4 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Në total Shqipëria deri sot ka bërë 36.388 tamponë, por MSH refuzon të konfirmojë se sa prej tyre janë testim për herë të parë dhe sa të përsëritur për ata që dalin pozitivë. Ndër 36 mijë tamponë, 4290 kanë rezultuar të infektuar. Edhe nëse të 36 mijë tamponët janë bërë tek 36 mijë njerëz, rezulton se mbi 12 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Në këtë pikë lind pyetja: A jemi ne vërtet 50 herë më mirë se Italia, siç pretendon qeveria?