Transmetuar më 22-07-2020, 08:10

Kriza e koronavirusit në SHBA, “do të përkeqësohet para se të përmirësohet”. Është kjo deklarata e Presidentit Donald Trump në hapje të konferencës për Covid në Shtëpinë e Bardhë këtë të martë, duke pretenduar normë të ulët vdekshmërie në SHBA.

“Disa zona të kombit po shkojnë mirë dhe të tjera nuk po shkojnë mirë, por për fat të keq, ndoshta situata do të përkeqësohet para se të përmirësohet. Është diçka që nuk më pëlqen ta them, por është e vërtetë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është hera e parë që Presidenti amerikan nuk ka treguar optimizëm për përfundimin e pandemisë, edhe pse përsëriti se herët a vonë virusi do të zhduket.

Prandaj ai fajësoi Kinën dhe vlerësoi efektivitetin e masave të marra nga Shtëpia e Bardhë.

Më tej ftoi qytetarët që të mbajnë maskë dhe të ruajnë distancën sociale.

“Mbajeni maskën, ju pëlqen ose jo”, deklaroi Trump, i shfaqur me maskë të zezë në fytyrë. /a.y/noa.al