Transmetuar më 25-07-2020, 14:44

“Nuk do rri zgjuar natën vonë, duke pritur ndjesën e një burri i cili nuk ka brejtje ndërgjegjeje, pasi përdori një gjuhë fyese ndaj femrave”.

Me këto fjalë Alexandria Ocasio-Cortez, 31 vjeçe, deputetja më e re në historinë amerikane, foli në kongresin e SHBA, referuar sjelljes së republikanit Ted Yoho, i cili e kishte etiketuar si “fuc***g b**ch” (K*rvë e dreqit).

“Më quajti të neveritshme, të çmendur dhe budallaqe. Yoho ka një grua dhe dy vajza. Jam dy vite më e re se vajza më e vogël e tij. Edhe unë jam vajza e dikujt. Im atë fatmirësisht nuk është gjallë për të parë se si zoti Yoho, i trajtoi të bijën. Ime më pa në televizor mungesën e respektit të tij. Dhe jam këtu, për t’iu treguar prindërve të mi se jam vajza e tyre dhe nuk më kanë rritur që të përballem me abuzime nga meshkujt”, tha ajo.

Më tej shtoi se të pasurit e një vajze dhe një gruaje, nuk e bën një burrë të ndershëm, por se trajtimi me respekt dhe dinjitet i njerëzve, e bën një person të tillë.

“Kur një njeri gabon, siç mund të na ndodh të gjithëve, bën më të mirën e tij dhe kërkon ndjesë. Jo për të ruajtur imazhin e tij dhe as për të fituar një votë. Kërkon ndjesë sinqerisht për të rregulluar dëmin e bërë, në mënyrë që të gjithë të ecin përpara”, deklaroi deputetja, citon noa.al.

Indinjata e saj mori mbështetje të madhe nga deputetet e pranishëm, ndërsa Ted Yoho, u tërhoq nga ajo që kishte thënë në mes të sallës, por pa cituar drejtpërdrejtë Ocasio-Cortez. Ai tha vetëm se ishte treguar shumë agresiv me një kolege, duke u betuar se nuk kishte përdorur kurrë fjalë fyese, duke qenë se është baba dhe ka familje. /a.y/noa.al