Transmetuar më 03-08-2020, 13:02

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e njohur si GJKKO, vendos që të sekuestrojë pasuritë e Presidentit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi, duke i cilësuar si të pajustifikuara.

Në deklaratën zyrtare pas hetimeve të prokurorisë së Posaçme, SPAK,  zbulohet edhe emri i vërtetë i tij para ndryshimit në Ylli Ndroqi, ai i vendosur nga prindërit është Xhemal Pasmaçiu.

Prokuroria deklaron se Ndroqi rezulton i përfshirë në aktivitete kriminale, trafik heroine në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Deklarata e plotë e SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë. Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicje se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ligji Antimafia) :

Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë “ESAS”, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët daktiloskopike të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe nëpërmjet Zyrës Qëndrore Interpol Tirana janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali.

Nga të dhënat e siguruar nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit “BAKLLAVA”, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Së pari, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, sipas legjislacionit penal turk, parashikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përfshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

Së dyti, pasuria e mësipërme, zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt te ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme.

Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.

Bazuar në sa më sipër Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sekuestrimin e pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemal Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij. Me vendimin Nr.16, datë 01.08.2020, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 117 m 2 , me adresë, Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 600 m 2 , mbi të cilën ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 90 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë. Pasuria e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 43.7 m 2 , me adresë, Tiranë. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe totale 67.3 m 2 , me adresë, Tiranë. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 15 m 2 , me adresë, Tiranë. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 2026 m 2 , me adresë, Mullet, Tiranë. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 52.3 m 2 , me adresë, Rruga “Qemal Stafa”, Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen Mimoza Ndroqi Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe totale 100 000 m 2 , me adresë, Lanabregas, Tiranë. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa AA 007 YN, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi. Automjeti i tipit autoveturë, marka BMW, modeli 760LI, ngjyra e zezë, me targa AA 007 AV, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi. Automjeti i tipit autoveturë, marka Land Rover, modeli Range Rover Vogue, ngjyra e zezë, me targa CD 6902 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa CD 6901 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi. Automjeti i tipit autoveturë, marka RollsRoyce, modeli PHANTOM, ngjyra e zezë, ma targë AA 001 YN, në pronësi të shtetases Mimoza Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 51% të kuotave të shoqërisë “Landon” sh.p.k., me NIPT K92226004H, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “YLDON” sh.p.k., me NIPT K31618007S, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “RENDON OIL” sh.p.k., me NIPT L57716501I. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “DON – UCD” sh.p.k., me NIPT L51326022D, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 80% të koatave dhe aksioneve të shoqërisë “Ecogades Landon Balcan” sh.a., me NIPT L22006005S, me aksioner shoqërinë “Landon”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 30% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “CHANNEL ONE” sh.p.k., me NIPT K12412002L, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “P S 31” sh.p.k., me NIPT L42215016R, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “INTERKINEX” sh.p.k., me NIPT J71506006T, me aksioner shoqërinë “YLDON”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “ORA” sh.a., me NIPT K71505003O, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases Mimoza Ndroqi. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “REN-DON” sh.p.k., me NIPT L41622002A, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “ALBANIA BAY MARINE” sh.p.k., me NIPT L61307081M, me aksioner shoqërinë “YLDON”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. /a.y/noa.al