Transmetuar më 03-08-2020, 13:52

Pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për trafik heroine dhe vendosjes së sekuestrimit të pasurive të Ylli Ndroqit, si produkt i aktivitetit kriminal, Presidenti i televizionit Ora News, ka shkuarn në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Pas marrjes në pyetje, avokati i tij, deklaroi për mediat se, akuzat për Ylli Ndroqin, janë sulm politik.

Ai shtoi se klienti i tij nuk është i ndaluar dhe as shoqëruar, por policia i ka dorëzuar dosjen e SPAK.

“Na është dorëzuar vendimi në dorë. Është vendimi i SPAK, shkalla e parë. Brenda afatit ligjor 5 ditor do ta ankimojmë në apel. Gjithë pasuria e tij është krijuar nga burime të ligjshme. Ai mendon se është një sulm politik, për shkak të gjyqit tjetër që po zhvillohet kundër kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj”, deklaroi avokati.

Lidhur me shoqërimin e Ndroqit në polici, përfaqësuesi ligjor sqaroi se kanë shkuar forcat operacionale pas një urdhri për t’i marrë makinën, një Merces-Benz, model S600, me të cilët udhëtonte dhe se Ndroqi ka shkuar vetë personalisht në polici, për të shoqëruar mjetin e tij. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, vendosi që të sekuestrojë pasuritë e Presidentit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi, duke i cilësuar si të pajustifikuara.

Në deklaratën zyrtare pas hetimeve të prokurorisë së Posaçme, SPAK, zbulohet edhe emri i vërtetë i tij para ndryshimit në Ylli Ndroqi.

Prokuroria deklaron se Ndroqi rezulton i përfshirë në aktivitete kriminale, trafik heroine në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali. /a.y/noa.al

Produkt i trafikut të heroinës! "Anti-mafia" sekuestron pasuritë e Ylli Ndroqit/Lista