Transmetuar më 05-08-2020, 10:41
Pjerin Ndreu, Edi Rama

Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndeu, shprehet kundër aktit normativ që ndalon lokalet e dasmave.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ish-deputeti socialist, aktualisht në krye të një prej bashkive më të mëdha të veriut, shprehet pro shqetësimit të pronarëve të lokaleve të dasmave në Lezhë.

“Që ka diskriminim me qytetet e tjera është krejt e qartë. Gjithkush e di se dasmat në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë etj., nuk i ndalon askush. Shqetësimi ynë është adresuar disa herë. Dikush do dalë të thotë se akti normativ thotë këtë dhe atë. Po dakord, po njëlloj për të gjithë. Ose një protokoll me numër të limituar pjesëmarrësish, sepse është shumë e rëndë t’i ndalosh dasmën tjetrit. Ata që i shkruajnë ca gjëra si duket se kanë haberin se ça domethënë me të prishë dasmën”, shkruan Ndreu.

Ky reagim i tij vjen pasi prej ditësh policia ka gjobitur lokale dasmash dhe me muzikë pas orës 20.00 për shkelje të aktit normativ. /a.y/noa.al