Transmetuar më 06-08-2020, 15:51

Edhe mjekët e familjes po përballen me agresivitetin e koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se aktualisht ata po trajtojnë 1 mijë të prekur me Covid-19.

Manastirliu ka inspektuar qendrën shëndetësore nr.10 në kryeqytet, dhe tha se mjekët e familjes po ndjekin pacientët e prekur me Covid19, por që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara.

“Është një punë e madhe që po bëhet nga mjekët e familjes. Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë. Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”, tha Manastirliu.

Aktualisht në të gjithë vendin, tha ministrja, janë aktive 2 mijë e 500 raste me koronavirus, ku rreth gjysma e tyre kanë edhe simptoma.

“Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 2500 raste aktive. Rreth gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor, sipas protokolleve të përcaktuara për qytetarët që ndiqen në mënyrë ambulatore dhe për ata që kanë nevojë të hospitalizohen atëherë lidhen direkt me 127 për të garantuar ndjekje të mëtejshme në kushte spitalore”, u shpreh Manastirliu.

Apeli shkon për qytetarët që të informojnë në kohë mbi çdo simptomë të ngjashme me virusin korona.

“Numri 0800 400 400 është një linjë e gjelbër, e dedikuar për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për informacion, që kanë nevojë të dinë kush është mjeku i familjes, që kanë nevojë të kontaktojnë direkt me mjekun e familjes për t’i lehtësuar komunikimin me mjekun dhe sigurisht për të bërë të mundur më pas ndjekjen e tyre kur janë të prekur nga COVID19”, bëri thirrje Manastirliu. /k.k/noa.al/