Transmetuar më 06-08-2020, 16:20

Nuk ka asnjë përmirësim të situatës me koronavirusin në vend. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 6 pacientë, që prej ditësh ishin të shtruar në spitale.

Fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, 3 qytetarë nga Durrësi, një 64-vjeçar, një 65-vjeçar dhe një 69-vjeçar, me sëmundje bashkëshoqërues.

Nuk e kanë fituar betejën me Covid 19 edhe një 72-vjeçare nga Fier, një 73-vjeçare nga Korça dhe një 78-vjeçare nga Tirana.

Ndërkaq, nga 531 testet për persona të dyshuar me koronavirus, kanë rezultuar pozitivë 127 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 36 raste në Tiranë, 28 në Krujë, 15 në Durrës, 8 në Has, 5 në Kukës, 4 në Fier, nga 3 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, nga 2 raste në Lezhë, Përmet, Klos, Shijak, Finiq, nga 1 rast në Kurbin, Lushnje, Berat, Tepelenë, Kolonjë, Malësi e Madhe.

Problematike është situata edhe në spitalet Covid. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 119 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 22 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Megjithë rastet ditore të identifikuara, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 32 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3 mijë e 155, që nga fillimi i epidemisë. /k.k/noa.al/