Transmetuar më 06-08-2020, 17:11

Instituti i Shëndetit Publik i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike mbi cilësinë e testeve për personat e dyshuar se janë prekur me koronavirus.

Sipas ISHP-së, laboratorët e kryerjes së analizave PCR, janë të standarteve më të larta të cilësisë dhe sigurisë, dhe po ashtu cilësia e punës së specialistëve të ISHP dhe testeve të përdorura në rastin e COVID-19, janë të certifikuara.

Ndërkohë, ISHP nënvizon se edhe kitet dhe reagentët e përdorura janë të standarteve ndërkombëtare, prodhuar nga kompani lider në sistemet dhe reagentet bioteknologjike, të ekstraktimit dhe amplifikimit të acideve nukleike, me të cilat operojnë edhe vendet e BE-së.

Ky institucion hedh akuza për përpjekje që epidemia po përdoret politikisht.

“ISHP e konsideron krahasimin absurd mes analizës PCR dhe testeve serologjike, një përpjekje dashakeqe për të bërë politikë me pandeminë. Padituria në dallimin mes testit PCR, dhe analizave serologjike – të cilat nuk bëjnë diagnostikim dhe saktësia e të cilave ende po vlerësohet kudo në botë – nuk duhet të shërbejë për të çoroditur qytetarët”, thuhet në reagim.

Një apel rezervohet edhe për qytetarët.

“ISHP hedh poshte çdo aludim mbi punën e kualifikuar të institucionit, dhe u kujton qytetarëve se Laboratori ynë i Virologjisë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar, që siguron edhe kontrollin e cilësisë së tij.

Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare të informacionit, kur duan të informohen në lidhje me ecurinë e pandemisë në vendin tonë”.

Një ditë më parë, ish-deputeti Bardh Spahia vuri në diskutim cilësinë e analizave për të dyshuarit me COVID-19. Përmes një postimi në Facebook, të enjten, ish-deputeti Bardh Spahia tregoi rastin ku një person i dyshuar me COVID-19 kishte kryer dy tamponë (2 teste PCR) rreth një muaj më parë dhe kishte rezultuar negativ (jo i infektuar). Mirëpo sipas Spahisë, në testin serologjik, i cili përmes pranisë së antitrupave mund të tregojë nëse dikush e ka kaluar virusin, ai ka rezultuar pozitiv.