Transmetuar më 06-08-2020, 23:28

Pas bllokimit të kalimit të kufirit gjatë natës me Greqinë, vjen edhe një lajm i mirë për shqiptarët.

Autoritete greke të Mbrojtjes Civile njoftuan se në këshillim me Ministrinë e Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, zgjatën lejet e qëndrimit edhe për 90 ditë të tjera, për mijëra punëtorë sezonalë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë shqiptarët.

Sipas këtij vendimi, punëtorët sezonalë kërkohet të paraqesin një kërkesë tek autoritetet kompetente që shoqërohet me një deklaratë të përgjegjësisë së punëdhënësit që i ka punësuar ata.

Zyrtarët thanë se e lidhën vendimin e shtyrjes për të përmbushur nevojat e fermerëve grekë për fuqi punëtore dhe për të siguruar procesin e prodhimit të drufrutorëve të stinës.

Disa mijëra punëtorë sezonalë shqiptarë udhëtuan drejt Greqisë dy muajt e fundit pas lejimit nga autoritetet greke të lëvizjes në kufi.

Qeveria greke njoftoi se vendosi të zgjerojë masën e mbylljes se kufirit nga ora 23:00 dhe deri në orën 07:00 të mëngjesit me të gjitha doganat tokësore të vendit.

Vendimi autoriteteve greke erdhi për shkak të pandemisë dhe prek pikën kufitare të Kapshticës me Shqipërinë, e cila funksiononte gjatë orëve të natës./NOA.al