Transmetuar më 07-08-2020, 18:48

Mjeku i njohur infeksionit Pëllumb Pipero foli për situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit në vend, duke u ndalur te një problem edhe më i madh se sëmundja: te numri i madh i njerëzve që ende nuk besojnë se ekzsiton COVID.

Ai dha shembull, që i ka të dyja anët e medaljes, duke thënë se ka njerëz që besojnë kur përfundojnë vetë në spital, por mirë do të jetë që të mbrohen dhe të mos e kenë një fat të tillë.

Mjeku rrëfeu një bisedë të tij me një farmaciste 26-vjeçare e prekur nga Covid-19.

“Një farmaciste nga Durrësi më mori në telefon pardje dhe më tha se jam keq. Kam dalë pozitive dhe jam keq.  Më vjen keq që kam qenë njeriu mosbesues dhe thoja se po mashtrohet populli", – u shpreh Pipero, duke zbardhur telefonatën e gruas.

"Sapo ju thashë që ka dy realitete. Kur më shohim mua më thonë ‘o Pipero po vërtet ka Covid mo’, nënvizoi mjeku, i ftuar në studion e Abc News.

Pipero iu përgjigj edhe një mesazhi që i kishte mbërritur gazetarit në studio nga një qytetare, e cila i ka shprehur mosbesimin e saj për ekzistencën e koronavirusit.

Sipas saj pas vdekjes së një të afërmi, familjarëve u është kërkuar që ta deklarojnë si viktimë të koronavirusit.

– “Nuk mund të ndodhë pavarësisht se çfarë thonë. Pa një letër konfirmuese nga mjeku që është Covid nuk ka shanse të ndodhë kjo gjë. Nuk duhet ta besojmë”, – u shpreh Pipero.

Pipero apeloi edhe njëherë për përdorimin e maskave nga qytetarët.

Sipas tij maska është e vetmja mënyrë për të ulur numrin e rasteve.

"Në spital po hyre i sëmur nuk të lëshon nga dora se është i vetëm. Realiteti i spitalit është ndryshe. Mua më vjen keq që numrat te ne janë rritur, sepse jemi të shkujdesur”, – tha Pipero.

/NOA.al