Transmetuar më 10-08-2020, 15:47

Vendi me gjasë do shkojë drej hapjes së spitaleve të tjera Covid, nisur nga rastet e shtuara çdo ditë të të prekurve me koronavirus.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në takim me personelin mjekësor italian në Shqipëri, tha se po trajnohen stafet për të qenë gati për skenarë të tjerë.

“Një punë e madhe po bëhet në territor përsa i përket kontrollit dhe testimit në mënyrë që të këputet zinxhiri i infeksionit. Por paralelisht ne jemi në përgatitje e sipër, dhe pjesë e kësaj përgatitje është dhe fuqizimi i ekipeve tona mjekësore, jo vetëm në strukturat tona spitalore universitare të dedikuara për të trajtuar COVID 19, por gjithashtu dhe në spitalet rajonale ku ne tashmë prej fillimit i kemi përfshirë në vlerësimin për të trajtuar rastet e të sëmurëve apo të pacientëve me Covid19, pasi të ezaurohen kapacitetet të cilat ne i kemi dedikuar sipas skenarëve tanë dhe sipas flukseve të pacientëve, sipas atyre projeksioneve të vlerësuar nga Instituti i Shëndetit Publik”, tha ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi punën e ekipeve mjekësore në spitalet COVID1 dhe COVID2.

"Vetëm në spitalin Infektiv, janë trajtuar rreth 800 pacientë deri më sot ku 400 prej tyre, pra 50 % prej tyre kanë patur nevojë për kujdes respirator, kush për një suport oksigjeni, kush është trajtuar nëpërmjet metodave të ventilimit, ja kanë dalë me sukses, falë punës heroike të mjekëve”, tha Manastirliu. /k.k/noa.al/