Transmetuar më 22-08-2020, 19:10

Një epokë e re në hoteleri, me një brand të ri, si rrallë herë më parë. Vjen hoteli i parë nga ylli botëror i futbollit, Kristiano Ronaldo. Ai po ndërtohet në zonën e famshme Picadilly Gardens në Manchester të Britanisë së Madhe dhe po shpenzohen rreth 35 milionë dollarë amerikanë.

Lojtari i Juventus-it, njoftoi se në bashkëpunim me kompaninë e turizmit “Pestana” do të çelë dyert e hotelit luksoz, i cili do të përfshijë edhe një bar në tarracë dhe shumë dyqane.

“CR7 Pestana”, i pari në Angli i Ronaldos, do të nisë aktivitetin në vitin 2023 pas suksesit që korri me hotelet e mëparshme të çelur në bashkëpunim me kompani hoteliere në Madeira, Lisbonë, Madrid, Nju Jork, Marrakesh dhe Paris.

Manchester është një qytet i veçantë për yllin portugez, i cili qëndroi 6 vite në Old Trafford, duke shënuar 119 gola, si dhe fitoi 9 trofe, përfshirë dhe Topin e Artë.