Updated; 02-10-2020, 16:16

Kryeministri Edi Rama mori sot një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ndër të tjera në letër, z.Trump përmend ndikimin negativ sipas tij të Kinës në botë dhe vlerëson "lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit".

Trump vlerëson mbështetja e hapur të qeverisë shqiptare për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit dhe thotë se ky vend po jep një shembull të fortë.

Presidenti paralajmëron se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria pritet të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë.

Letra e Trump vjen pak kohë pasi ONE Telecommunication u bë kompania e parë nga Shqipëria dhe rajoni që iu bashkua dhe u angazhua në iniciativën e rrjeteve të pastra.

Si pjesë e kësaj iniciative, ONE Telecommunications angazhohet të mos përdorë pajisje transmetuese, kontrolli, kompjuterike apo ruajtjeje nga kompani të pasigurta teknologjikisht.

Një investim rrënjësor prej 92 milionë euro po modernizon rrjetin e kësaj kompanie dhe për këtë është zgjedhur gjiganti botëror i teknologjisë Ericsson.

Në fund të procesit, qytetarët shqiptarë do të komunikojnë sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë.