Presidentja në detyrë e Kosovës: Europa vazhdon ta trajtojë Serbinë “si një fëmijë të llastuar”
Transmetuar më 14-11-2020, 08:23

Kryetarja e Kuvendit dhe presidente në detyrë, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj heshtjes së BE-së, duke e kritikuar për mostrajtim të barabartë me Serbinë, si shtete fqinje, në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Associated Press tha se Brukseli, nuk ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe vazhdon ta trajtojë Serbinë “si një fëmijë të llastuar”.

“Duhet të trajtohemi të barabartë gjatë këtij dialogu. Nëse ndodh kjo, atëherë do të jetë rrugë e një dialogu të suksesshëm në të ardhmen. Ata i mohojnë të gjitha krimet e tmerrshme që kanë kryer në gjithë Jugosllavinë, por në veçanti ato në Kosovë gjatë viteve ’90,” tha Osmani.

Suksesi i dialogut, sipas kryeparlamentares e cila mori edhe detyrën e Hashim Thaçit pas dorëheqjes së tij, vjen vetëm kur Serbia ta pranojë realitetin.

Osmani kërkon që të bëhet presion mbi Serbinë nga komuniteti ndërkombëtar dhe pohon se drejtësia ende po fle.

“Ende nuk ka drejtësi për viktimat, më shumë se dy dekada pas luftës,” – tha Osmani, teksa në Hagë në vend që të shkojnë kriminelët e vërtetë të luftës po thirren një e nga një drejtuesit shqiptarë të UÇK, të cilët luftuan kundër pushtuesit serb, për liri./a.m/NOA.al