Transmetuar më 16-11-2020, 08:38

Anija kozmike e Elon Musk, "SpaceX Crew Dragon", që mbante katër astronautë në bord, u lëshua nga Kepi i Canaveralit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Është misioni i parë operativ i NASA-s, pas nisjes historike të provës në maj që dërgoi dy kozmonautë të tjerë, nëntë vjet pas "Space Shuttle".

Në bordin e kapsulës, të pagëzuar me emrin "Resilienza", janë tre amerikanë nga NASA, Komandanti Michael Hopkins, piloti Victor Glover dhe specialisti i misionit, Shannon Walker, si dhe një astronaut i Agjencisë Hapësinore Japoneze (Jaxa), Soichi Noguchi.

Në pritje të tyre në stacionin orbitues, do të jenë amerikanja Kate Rubins, inxhiniere fluturimi dhe dy kozmonautët rusë, komandanti Sergej Ryzhikov dhe inxhinieri i fluturimit, Sergej Kud-Sverchkov. Të katër astronautët do të qëndrojnë në hapësirë për gjashtë muaj, gjatë të cilave ata do të kryejnë eksperimente të ndryshme shkencore.

Këtë herë, Elon Musk, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i "SpaceX", u detyrua të mbikëqyrë nisjen e anijes së tij Crew Dragon nga larg, për shkak të infeksionit "shumë të mundshëm" të koronavirusit, siç bëri vetë të ditur ai në Twitter.

Për të siguruar suksesin e misionit, NASA ka futur masa të ashpra anti-Covid, duke filluar me astronautët, të cilët i janë nënshtruar një karantine shumë të kontrolluar. /e.a/noa.al/