‘O sa mirë’, Albin Kurti prezanton aktoren, kandidate për deputete
Transmetuar më 20-01-2021, 17:12

“O sa mirë”, e ka quajtur Albin Kurti vendimin e aktores Adriana Matoshi, për t’u zyrtarizuar me partinë e tij para zgjedhjeve.

Adriana Matoshi pritet të kandidojë për deputete e VETËVENDOSJES në zgjedhjet e parakohshme. Sakaq, mediat në Kosovë raportojnë se KQZ i ka hequr të drejtën Albin Kurtit, për të kandiduar, por kjo është hedhur poshtë nga kreu i Lëvizjes VETËVENDOSJE. Ai tha se nuk ka marrë zyartarisht asnjë shkresë.

Albin Kurti nga ana tjetër priti aktoren dhe bëri prezantimin e saj, më tej edhe si një politikane, për publikun.

“Adriana Matoshi u anëtarësua mbrëmë në VETËVENDOSJE!. Adriana është një ndër aktoret më të mira shqiptare dhe ndër më të kërkuarat në zejen e filmit në vend. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e Profesor Faruk Begollit. Disa nga çmimet e shumta kombëtare e ndërkombëtare që ka fituar janë: çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, në Brazil, Valencia të Spanjës si dhe në Paris, çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Zana” në Berlin, dhe në Neë Jork është shpërblyer edhe për rolin e saj në filmin “T’padashtun”, – theksoi Kurti

“Përkundër roleve të saj në film, ajo ka luajtur edhe në shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Adriana është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, dhe ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit në vitin 2007 dhe po ashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri. Ajo ka luajtur shumë role gjatë karrierës së saj, mirëpo roli më i rëndësishëm vazhdon të jetë ai i gruas aktiviste. Adriana Matoshi është në mesin e 41 grave në listën tonë të referendumit për deputete të ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, – tha Albin Kurti në prezantimin e Adriana Matoshi.

/a.m/NOA.al